Në prag të përballjes vendimtare ndaj Kombëtares së Kosovës, përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ka folur për rëndësinë e sfidës dhe pritshmëritë që e shoqërojnë këtë duel historik.
Trajneri italian pranoi se presioni do të jetë i madh, por u shpreh i bindur se skuadra e tij është e përgatitur për ta përballuar.
“Do të jetë presion. Ka lojtarë që nuk ishin të lindur kur Turqia luajti për herë të fundit në Botëror. Besoj se do ta përballojmë me sukses presionin”, tha Montella.
Ai e vlerësoi maksimalisht rrugëtimin e Kosovës deri në këtë finale, duke paralajmëruar një sfidë të barabartë dhe me emocione të forta.
“Kosova, me plot meritë, ka arritur deri këtu. Ka pasur rezultate pozitive në kontinuitet. Besoj se do të jetë një finale e madhe”, shtoi Montella.
Përvojën e tij si selektor i Turqisë, Montella e shoqëroi me fjalë besimi ndaj grupit të lojtarëve:
“Jam i lumtur që jam selektor i Turqisë. Kam përkrahjen e presidentit. Çfarëdo rezultati të jetë nesër, mburrem me këta lojtarë. Suksesi i deritashëm është falë tyre”.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të jetë një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e të dyja përfaqësueseve, me një atmosferë të jashtëzakonshme nga tifozët.