Sonte Kosova luan ndeshjen historike kundër Turqisë, e vlefshme për kualifikim në Botërorin e këtij viti.
“Dardanët” e kanë shansin e artë sonte që të kualifikohen për herë të parë në Kupën e Botës.
Në lidhje me këtë ndeshje historike, lajmi.net ka kontaktuar me ish-kapitenin e kombëtares së Kosovës në vitin 1996, Arbnor Morina.
Morina tash është trajner i kombëtares U17 të Kosovës. Ai në një përgjigje për lajmi.net tha se lojtarët e Kosovës kanë treguar se janë me plotë meritë këtu ku janë.
“Për mendimin time, vetë arritja në “play-off”, është sukses i madhe se ka shtete që janë me qindra vjet shtete dhe me qindra vjet të pranuara në UEFA e FIFA e nuk e kanë pasur këtë mundësi asnjëherë. Djemtë tonë kanë treguar një kontiuitet të mirë dhe dëshirë të madhe e kanë kryer punë me përkushtim me zellë dhe disiplinë dhe me plotë meritë janë këtu ku janë.”, tha fillimisht ai.
Tutje, trajneri i njohur u shpreh se kjo ndeshje ka një peshë të madhe për të si ish-kapiten i Kosovës.
“Në Sllovaki e treguan që karakteri jonë është shumë pozitivë, edhe sonte ndeshja kundër Turqisë është ndeshja finale, e cila për mu personalisht ka peshë të madhe. Pse po thamë peshë të madhe? Sepse mundet me qenë kurora e të gjitha atyre gjeneratave që janë sakrifiku, që kanë luajtur për kombëtaren në kushte të okupimit, me qenë një satisfaksion shpirtëror për të gjithë ata. Si ish-kapiten i kombëtares së Kosovës në vitin 1996, mundem me thanë që këta djem na kanë bërë gjithmonë krenar, hapi i fundit, edhe nëse nuk kualifikohemi, edhe pse unë besoj që kemi me u kualifiku, edhe nëse nuk kualifikohemi duhet të ju themi të gjithë këtyre një bravo e madhe për atë që na kanë bërë të lumtur dhe krenar neve.”, u shpreh ai./lajmi.net/