Në muajin mars të vitit 2014, Kombëtarja e Kosovës edhe zyrtarisht nisi rrugëtimin e saj ndërkombëtar.
Më herët atë vit, FIFA kishte dhënë leje për Kosovën që të luante ndeshje miqësore ani pse nuk ishte e pranuar.
Më datën 5 mars të vitit 2014, në stadiumin “Adem Jashari” zbarkoi Haiti për miqësoren e parë, e cila përfundoi 0:0.
Miqësorja e dytë ishte e madhe për Kosovën, pasi në fushë doli Turqia me plot yje në përbërje dhe fitoi 6:1 kurse të tribunat e stadiumit në Mitrovicë ishin hiq më pak se 18 mijë shikues.
Në vitin 2014, erdhën edhe miqësoret me Senegalin, Omanin, Guinenë Ekuatoriale dhe Shqipërinë.
Më 3 maj të vitit 2016, në Kongresin e UEFA-s të mbajtur në Budapest me 28 vota pro dhe 24 kundër, Kosova u bë anëtare e Shtëpisë Evropiane të futbollit kurse 10 ditë më vonë edhe e FIFA-s me 141 vota pro dhe vetëm 23 kundër në Kongresin e mbajtur në Meksikë.
Kosova nisi garat në kualifikimet për Botërorin 2018, ku ishte në grup me Finlandën, Kroacinë, Ukrainën, Islandën e Turqinë.
Përfundoi e fundit me vetëm një pikë, të cilën e mori në ndeshjen e parë kualifikuese duke barazuar 1:1 në udhëtim te Finlanda derisa ndeshjet si vendas i luante në Shkodër.
Pas këtyre kualifikimeve, Kosova luajti në Ligën D të Ligës së Kombeve që ishte edhe edicioni inaugurues i kësaj gare të UEFA-s, duke qenë në një grup me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.
“Dardanët” ishin të jashtëzakonshëm pasi përfunduan të parët në grup pa e humbur asnjë ndeshje dhe krahas promovimit në Ligën C siguruan edhe “play-offin” për kualifikim në “Euro 2020”, ku në gjysmëfinale u eliminuan nga Maqedonia e Veriut pasi humbën 2:1 në Shkup.
Në kualifikimet për Evropianin e vitit 2020, Kosova ishte në Grupin A me Anglinë, Bullgarinë, Malin e Zi e Çekinë, ku humbja në ndeshjen e fundit ia pamundësoi kualifikimin.
Erdhi sezoni 2020/21 i Ligës së Kombeve, ku në grup me Greqinë, Moldavinë e Slloveninë, Kosova mezi siguroi qëndrimin në ligën C.
Kualifikimet për Botërorin 2022 nuk rezultuan të suksesshme për Kosovën pasi përfundoi e parafundit në grup me Gjeorgjinë, Greqinë, Spanjën dhe Suedinë.
Shenja përmirësimi, Kosova tregoi në edicionin 2022/23 të Ligës së Kombeve ku ishte në grup me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron, përpara se të mos sigurojë kualifikimin direkt në Euro 2024 nëpërmjet eliminatoreve në grupin që përbëhej nga Zvicra, Rumania, Izraeli, Bjellorusia e Andorra.
Ngritja e Kosovës nisi në kampanjën 2024/25 të Ligës së Kombeve, ku në krye të “Dardanëve” erdhi selektori Franco Foda, i cili zyrtarisht e emërua më 17 shkurt të vitit 2024.
Para tij te Kosova ishin Albert Bunjaki, Bernard Challandes, Primozh Gliha në dy raste dhe Alain Giresse.
Në sezonin 2024/25 të Ligës së Kombeve, Kosova siguroi promovimin për herë të parë në ligën B të kësaj gare pasi në “play-off” mposhti Islandën në dy ndeshje kurse paraprakisht doli e dyta në një grup me Qipron, Lituaninë e Rumaninë.
Kualifikimet për Botërorin 2026 kulmuan me rritjen e madhe të Kosovës, që këtë cikël doli e dyta në grup me Zvicrën Suedinë e Zvicrën.
E nisi me humbje 4:0 në udhëtim ndaj Zvicrës, për të reflektuar më pas dhe për të regjistruar tri fitore e dy barazime në pesë ndeshjet e ardhshme dhe për të siguruar “play-offin” për kualifikim në ngjarjen e këtij viti që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.
Në gjysmëfinalen e “play-offit”, Kosova mposhti 4:3 Sllovakinë në Bratislavë për të siguruar finalen me Turqinë që luhet sot prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Tani, “Dardanët” janë vetëm 90-të minuta larg ëndrrës historike, kualifikimit në Kupën e Botës dhe shpresat janë të mëdha që këtë herë festa do të jetë për Kosovën.