Kosova sonte ka mundësi të siguroj biletën për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror.
Në ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova luan kundër Turqisë, finalja e “play-off” të kualifikimeve për Botëror, transmeton lajmi.net.
Në lidhje me këtë ndeshje, lajmi.net ka kontaktuar me trajnerin e njohur shqiptar, Ardian Nuhiu. Ai tha se në ndeshjen e fundit, Kosova i ka lënë përshtypje se është një ekip i uritur për sukses.
“Të parashikosh një rezultat në futboll është e vështirë, sepse kjo lojë vendoset nga detaje. Por kur sheh shpirtin e një skuadre, mënyrën si lufton dhe si beson, atëherë krijon një ndjenjë të fortë besimi. Kosova në ndeshjet e fundit më ka lënë përshtypjen e një ekipi të uritur për sukses madhor. Disiplina taktike, organizimi i qartë dhe mënyra e ndërtimit të aksioneve tregojnë një identitet të fortë loje. Ajo që më bind edhe më shumë është fakti që po shoh kompaktësi si grup , një mbrojtje stabile, mesfushë agresive , me përgjegjësi kolektive. Ndërsa në fazën ofensive, cilësia individuale është ajo që mund ta vendosë ndeshjen në çdo moment.”, tha ai fillimisht.
Tutje, trajneri i njohur tha se lojtarët e Kosovës sonte e kanë mundësinë që të shkruajnë emrin e tyre në histori.
“Mbështetja e gjithë kombit, mbështetja e tifozëve ne stadium do të jetë një forcë shtytëse per futbollistet, një energji që i çon lojtarët përtej limiteve të tyre. Turqia ka cilësi dhe përvojë, por në ndeshjen e fundit kundër Rumanisë u duk një skuadër nën presion, pa qartësinë e zakonshme në lojë, ndryshe nga paraqitjet e mëhershme ku kishte më shumë ide .. Unë besoj fuqishëm se kjo është një natë që mund të hyjë në histori. Futbollistët tanë kanë një mundësi të artë , jo vetëm për të fituar një ndeshje, por për të shkruar emrat e tyre përgjithmonë në historinë e këtij vendi. Ata po jetojnë ëndrrën e tyre… por sonte kanë mundësinë ta kthejnë në realitet ëndrrën e gjithe shqiptarëve, kudo që jane. FORCA KOSOVË”, u shpreh Nuhiu./lajmi.net/