Dinamo do të presë Elbasanin të shtunën për javën e 30-të të kampionatit, në një takim ku shpresat për vendin e katërt mund të mbeten gjallë ose të shuhen përfundimisht, kombinuar edhe me rezultatin e Partizanit kundër Vllaznisë, që do të luhet po të shtunën, tri orë më herët.
I njëjti takim i orës 17.00 i intereson edhe Elbasanit, por vetëm për sa i përket kreut, pasi pjesëmarrja në katërshen finale është e sigurt për verdheblutë, që presin vetëm konfirmimin matematik në shtatë javët e fundit.
13 pikë i ndajnë skuadrat në tabelë, Dinamo me 40, Elbasani me 53, po aq sa Vllaznia. Një diferencë e madhe e krijuar si shkak i krizës së bluve në 2026 dhe falë ecurisë thuajse pa ndalesa të verdhebluve. Elbasani në 5 javët e fundit ka grumbulluar 11 pikë, po aq sa Partizani dhe më tepër se gjithë të tjerët.
Dinamo ka marrë vetëm katër, duke lënë pas vetëm Vorën me një pikë në këtë periudhë. Skuadra e Ilir Dajës çalon shumë edhe në sulm, duke e tundur vetëm dy herë rrjetën kundërshtare në pesë javët e fundit, ndërsa Elbasani ka shënuar gjashtë herë.
Në tri ndeshjet e këtij kampionati, Elbasani ka fituar përballjet në shtëpi dhe ka barazuar 1-1 në takimin e luajtur në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Për sa u përket formacioneve, asnjë prej trajnerëve nuk ka dëmtimeve të reja, ndërkohë që për Ivan Gvozdenoviç janë kthyer të gatshëm Qose dhe Diallo.