Friday, 3. April 2026
Sport

U lëndua te Kosova, Albian Hajdari pritet të luaj për Hoffenheimin

GS 03/04/2026 2 Min. Lesezeit

Albian Hajdari e kishte të pamundur ta kompletonte ndeshjen e Kosovës ndaj Turqisë, të martën. Ai pësoi çarje pas veshit dhe u largua nga fusha në minutën e 80-të.

Por mbrojtësi 22-vjeçar mund të kthehet që të shtunën në fushën e blertë. Këtë e ka paralajmëruar trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, të premten në konferencë për shtyp. Hajdari mund të kthehet, ndonëse i janë dashur 16 penj për ta mbyllur plagën në kokë.

Në kuadër të Bundesligës, Hoffenheimi e pret Mainzin, nga ora 15:30. Mainzi është duke kaluar formë shumë të mirë dhe për Hoffenheimin ndeshja pritet të jetë sfiduese. Pas humbjes 5:0 nga Leipzigu më 20 mars, skuadra e tre reprezentuesve pritet të reagojë. Dhe paraqitja eventuale e Hajdarit është lajm shumë i mirë.

Ilzner ka treguar për “16 penjtë” dhe kujdesin shumë të mirë mjekësor ndaj Hajdarit. Ai ka treguar se mbrojtësi e zhvilloi pjesërisht edhe stërvitjen e së premtes.

“Përfundimisht ka mundësi që ai të jetë pjesë e skuadrës”, ka thënë Ilzner.

Leon Avdullahu ishte mungesë e madhe për Kosovën në ndeshjen ndaj Turqisë. Ai së fundi luajti për Hoffenheimin më 14 mars. U lëndua pak ditë para se të niste grumbullimi i Kosovës, por sinjalet e fundit janë pozitive. Dhe mesfushori po ashtu mund të përfshihet në skuadër për ndeshjen e së shtunës.

“Leoni po ashtu ka bërë përparim të shkëlqyer. Ai mori pjesë në stërvitjen e skuadrës për herë të parë. Kemi besim se do të rikuperohet më shpejt se që pritet dhe që mund të kthehet në skuadër që nesër”, ka shtuar Ilzer.

Te Hoffenheimi luan edhe Fisnik Asllani, sulmuesi i Kosovës.

“Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin në fushë për vendet e tyre. Ju nuk mund të fitoni gjithnjë, por Fisniku dhe Albiani nuk mund ta fajësojnë veten”, ka thënë Ilzer, duke vlerësuar rrugëtimin e Kosovës.

Teilen: