Manchester City është gjysmëfinalisti i parë i FA Cup për këtë sezon. “Qytetarët” kanë mundur 4-0 Liverpool-in në “Etihad”, ku protagonisti kryesor ishte Erling Haaland me tre gola të shënuar.
Në minutën e 37-të, Virgil Van Dijk shkakton faull brenda zonës me ndërhyrjen e tij jo të rregullt ndaj O’Reilly. Penallti për Man. City, Haaland tregohet i saktë nga 11-metrat, duke zhbllokuar kështu shifrat.
Në minutën shtesë të pjesës së parë, pas një krosimi të Antoine Semenyo ishte Erling Haaland që dyfishoi shifrat, duke shënuar me kokë. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për vendasit.
Në fillim të pjesës së dytë, Man. City shënoi edhe dy gola të tjerë të shpejtë duke vulosur fatin e ndeshjes. Në minutën e 50-të, Semenyo gjen rrjetën pas asistit të Ryan Cherki.
Në minutën e 57-të, pas një kombinimi fantastik mes Doku dhe O’Reilly, ky i fundit asiston për Haaland, i cili shënon golin e katërt për vendasit dhe kompleton tregolshin e tij. Sot luhen edhe dy çerekfinalet e tjera, Chelsea-Port Vale dhe Arsenal-Southampton. Nesër West Ham-Leeds.