Monday, 6. April 2026
Futboll

ANALIZA / “Një vezë sot apo pulën mot…”; kriza e futbollit italian, përqafuar edhe nga Shqipëria

GS 06/04/2026 5 Min. Lesezeit

Jürgen Klinsmann ka dhënë diagnozë të drejtpërdrejtë dhe, mbi të gjitha, strukturore për krizën e kombëtares italiane të futbollit, e cila do të mungojë në Botërorin e tretë radhazi. Deklaratat e tij (më pikantja, Yamal dhe Musiala do të kishin përfunduar në Serie B te ju) nuk janë thjesht provokim mediatik, por përmbledhje e disa problemeve që janë akumuluar prej vitesh në sistemin italian të futbollit.

Klinsmann thekson mungesën e lojtarëve që driblojnë, krijojnë epërsi individuale, marrin përgjegjësi në duelet 1 kundër 1. Kjo është kritikë direkte ndaj profilit tradicional italian, që historikisht ka prodhuar mbrojtës elitarë, mesfushorë taktikë, por më pak lojtarë “game-changer”. Në kontrast, lojtarë si Lamine Yamal dhe Jamal Musiala janë produkt i sistemeve që inkurajojnë kreativitetin, tolerojnë gabimin, i japin rol të madh individualitetit.

Tërmeti' i Kupës së Botës sjell pasoja në Itali, dorëhiqet Gabriele Gravina, pse Duka jo? Zgjedhjet e reja për kreun e Federatës së Futbollit Italian mbahen më 22 qershor - Shqiptarja.com

Teza që “Yamal dhe Musiala do përfundonin në Serie B” është simbolike, por reale në thelb. Tregon se mungon besimi ndaj të rinjve të talentuar. Në Serie A,trajnerët janë nën presion ekstrem rezultati, klubet kanë pak durim, zhvillimi afatgjatë sakrifikohet për objektiva afatshkurtër. Kjo sjell vonesë në debutimin e talenteve, mungesë vazhdimësie, humbje potenciali. Ndërkohë, në La Liga dhe Bundesliga, talentet debutojnë më herët, marrin përgjegjësi reale që në moshë të re.

Klinsmann përmend mungesën e liderëve, por kjo është pasojë e mungesës së zhvillimit të vazhdueshëm, e mungesës së lojtarëve që rriten si protagonistë në klube. Një lider nuk “krijohet” në kombëtare, ai formohet duke luajtur, duke gabuar, duke marrë përgjegjësi në nivele të larta. Kritika më e fortë është ndaj mentalitetit konservator të trajnerëve, të cilët luajnë për të mos humbur. Ky mentalitet kufizon kreativitetin, ul ritmin e lojës, dekurajon marrjen përsipër të rrezikut.

Në futbollin modern skuadrat që dominojnë janë ato që marrin iniciativë, jo ato që menaxhojnë frikën. Italia ka mbetur pjesërisht e lidhur me një model që nuk është më dominues. Përmendja e Serie B nga Klinsmann, në analizën e tij për krizën e futbollit italian, nuk është thjesht për ligën, por për filozofinë “shko dhe fito eksperiencë diku tjetër” në vend të “rritu këtu dhe luaj tani”.

The UEFA Vice President, Gravina: “Today is a day where the foundations are being laid for building a vision for the future of Albanian football” - FSHF

Kjo krijon një cikël ku talentet shpërndahen, nuk integrohen në elitë, humbasin momentumin e zhvillimit. Nëse Italia ka problem me menaxhimin e talentit, Shqipëria rrezikon të ketë probleme me ekzistencën e tij në nivel elitar. Më së pari kjo vjen nga hapja totale ndaj të huajve, pa filtër cilësie. Nga Kategoria Superiore deri te moshat nuk ka kufizime reale, nuk ka standard minimal cilësie, nuk ka strategji zhvillimi.

Rezultati? Skuadrat tona, deri te Kategoria e Tretë, janë të mbushura me lojtarë të huaj mesatarë (që rëndom thuhet se klubet i mbajnë me dy-tre byrekë në ditë!!!) Kjo sjell bllokim të hapësirave për vendasit, qofshin edhe të talentuar, sipas filozofisë së gabuar të klubeve “më mirë një vezë sot se një pulë mot”. Dhe diferenca e futbollit tonë është sërish thelbësore karshi Italisë. Konkretisht, Italia importon cilësi më të lartë, ka akademi funksionale.

Ndërkohë, Shqipëria importon shpesh lojtarë mesatarë ose poshtë mesatares, nuk kompenson me zhvillim vendas. Pra, efekti është shumë më i dëmshëm. Kjo sjell bllokimin e zinxhirit të zhvillimit. Kur një i ri shqiptar nuk luan në Superiore, nuk luan as në kategori më të ulëta (sepse edhe aty ka të huaj me shumicë), atëherë ai nuk zhvillohet, nuk kalon në kombëtare moshash, humbet nga sistemi.

Derbi i kryeqytetit humbet “identitetin”, golat vijnë nga të huajt - SUPERIORE

Për pasojë, ekipet tona kombëtare mbeten me sy nga Diaspora. Kombëtaret varen nga minutat reale të lojtarëve në futbollin profesionist. Nëse këto minuta aktivizimi mungojnë, U-17, U-19 dhe U-21 dobësohen, kalimi në kombëtaren A bëhet artificial.

Për pasojë, Shqipëria mbështetet vetëm te diaspora, humbet prodhimin e brendshëm të lojtarëve. Ngado ta prekësh, iluzioni i “zgjidhjes së shpejtë” në futbollin tonë është i gabuar. Klubet shqiptare shpesh zgjedhin të huaj për rezultate të menjëhershme, por nuk krijojnë asete, nuk shesin lojtarë, nuk ndërtojnë identitet. Ky është model pa të ardhme.

Duke qenë se prej vitesh “kopjojmë” Italinë, sidomos në drejtimin e kombëtares A, por edhe në strukturat teknike të FSHF-së, thelbi i përbashkët (Itali-Shqipëri) ka mungesë besimi te të rinjtë, dominim i logjikës afatshkurtër, presion rezultati mbi zhvillimin, import si zgjidhje e lehtë. Nëse Italia vuan nga keqmenaxhimi i një baze të fortë, Shqipëria rrezikon nga mungesa e vetë bazës.

Statistika/ Java e penalltive në Superiore, shkëlqejnë lojtarët e huaj | Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Analiza e Klinsmann është e saktë në thelb. Futbolli modern kërkon guxim, kreativitet dhe zhvillim të hershëm të talenteve. Sistemet që nuk iu japin hapësirë të rinjve, dështojnë në afatmesëm. Për Shqipërinë, mesazhi është edhe më kritik: Pa politika mbrojtëse për talentin vendas, kampionati humbet funksionin, identitetin; kombëtaret dobësohen; zinxhiri i zhvillimit prishet.

Nuk do shumë mend se çfarë i nevojitet Shqipërisë: kufizim i numrit të të huajve në formacion, kuota minimale për lojtarë shqiptarë U-21, bonuse financiare për aktivizimin e vendasve, licencim më i rreptë për të huajt (filtra cilësie), investim real në akademi. Sistemi që nuk i beson talentit të vet, prodhon dështim.

Ky është një paralajmërim që Shqipëria duhet ta marrë shumë seriozisht, sepse po e vuan me valencat e tragjedisë kombëtare Italia e rreth 58.9 milionë banorëve (vlerësim i viteve të fundit 2024–2025), jo më ne që kemi mbetur pak më shumë se 1.5 milionë banorë në vend…

Teilen: