Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës kanë sjellë emocione të mëdha dhe rezultate të rëndësishme në ndeshjet e para, ku Dukagjini dhe Ferizaj kanë hedhur hapa të mëdhenj drejt finales.
Dukagjini ishte i jashtëzakonshëm në udhëtim, duke mposhtur Ballkanin me rezultat bindës 3-0. Skuadra nga Klina e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaloi në epërsi që në minutën e 8-të me një supergol nga Hekuran Berisha. Para përfundimit të pjesës së parë, mysafirët fituan penallti, të cilën e shndërroi në gol Mërgim Pefqeli për 0-2. Në pjesën e dytë, Ballkani tentoi të reagojë, por pa sukses, ndërsa në fund Meris Maliqi vulosi fitoren me golin për 0-3, duke e afruar shumë Dukagjinin me finalen. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Klinë, ku vendasit kanë një avantazh të madh.
Në përballjen tjetër, Ferizaj arriti një fitore të vlefshme si mysafir ndaj Llapit me rezultat 2-1 në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Goli i parë erdhi pas një goditjeje nga këndi të Qlirim Avdullit, ku topi u devijua nga mbrojtja vendase dhe përfundoi në rrjetë për 0-1. Në pjesën e dytë, Llapi kërkoi barazimin, por ishte Ferizaj që goditi sërish në minutën e 87-të me Kushtrim Shabanin për 0-2. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe në kohën shtesë Besar Musolli ngushtoi rezultatin në 1-2, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Pas këtyre rezultateve, Dukagjini dhe Ferizaj janë më pranë finales, por gjithçka pritet të vendoset në ndeshjet kthyese që premtojnë tjetër dramë.