Juventusi nuk ka pasur asnjë dyshim, me ose pa vend në Champions League sezonin tjetër, e ardhmja bardhezi është me Luciano Spallettin. “Vendimi është marrë, ne jemi shumë të lumtur të vazhdojmë me të, pavarësisht nga rezultati i sezonit”, – tha Marco Ottolini pas fitores ndaj Genoa.
Giorgio Chiellini, drejtor i strategjisë së futbollit, e kishte bërë të qartë gjithashtu; nuk ka plan B në Torino. Vetë Spalletti kishte disa kërkesa për klubin; siguri mbi projektin e Juves, garanci për skuadrën dhe autonomi në zgjedhjet në fushë. Përgjigjet mbërritën, ndaj trajneri është gati ta vazhdojë karrierën në Torino, duke synuar rikthimin e titullit në shtëpi. Marrëveshja është arritur financiarisht edhe me John Elkann.
Njoftimi i rinovimit pritet deri të premten, para ndeshjes me Atalantën, thelbësore për kualifikimin në Champions. Kontrata do të zgjasë deri më 2028, me rrogë rreth 6 milionë euro neto në sezon. Rinovimi ka nisur pas telefonatës me Elkann, mbas fitores 3-0 ndaj Sassuolos, dhe u forcua falë punës diplomatike të Chiellinit. Tani gjithçka është gati për të ndërtuar një Juve fituese.