Trajneri i TSG 1899 Hoffenheim, Christian Ilzer, është shprehur i kënaqur me rikthimin e mesfushorit Leon Avdullahu pas një periudhe mungese për shkak të lëndimit. Në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten, në prag të ndeshjes kundër FC Augsburg, Ilzer bëri të ditur se lojtari ka qenë plotësisht i përfshirë në stërvitjet e ekipit gjatë gjithë javës, duke lënë të hapur mundësinë për aktivizimin e tij nga minuta e parë.
Avdullahu u rikthye në aksion në përballjen ndaj 1. FSV Mainz 05, ku u inkuadrua në lojë nga minuta e 61-të, në një ndeshje që përfundoi me humbje 2:1 për Hoffenheimin. Sipas trajnerit, ky rikthim gradual ishte i rëndësishëm për ta ndihmuar lojtarin të rifitojë ritmin dhe formën fizike pas lëndimit.
“Ishte shumë e rëndësishme që Leon Avdullahu të kishte minuta në ndeshjen kundër Mainz. Ai luajti rreth gjysmë ore dhe tregoi se është në rrugën e duhur për rikuperim të plotë. Gjithashtu, gjatë gjithë javës ka stërvitur pa asnjë problem me pjesën tjetër të skuadrës. Pas stërvitjes së fundit do të vendosim nëse ai do ta nisë ndeshjen si titullar apo do të jetë një opsion nga banka rezervë”, deklaroi Ilzer.
Ndeshja mes Hoffenheimit dhe Augsburgut është planifikuar të zhvillohet të premten në orën 20:30 dhe pritet të jetë një përballje e rëndësishme për ekipin vendas, që synon të rikthehet te rezultatet pozitive në kampionat.
Në skuadrën e Hoffenheimit vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm edhe dy futbollistë të tjerë nga Kosova, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.