Me vetëm 10 gola të shënuar këtë sezon dhe shumë larg pritshmërive, Rafael Leao pritet të largohet nga Milan në verë. Nëse para dy sezonesh, Leao ishte ndër lojtarët më të shtrenjtë në treg, sot vlera e portugezit është ulur shumë.
“Corriere della Sera” zbulon se drejtuesit e Milanit kanë vendosur ta nxjerrin në shitje portugezin për çmimin 50 milionë euro, duke parë ndikimin e tij të ulët në fushë dhe rezultate dhe sidomos marrdhënien e tensionuar që ka me trajnerin Max Allegri.
Jorge Mendes, i cili punon me përfaqësuesit e Leao-s, thuhet se tashmë ia ka ofruar atë disa klubeve, përfshirë edhe Barcelonën. Megjithatë, siç raportohet nga “Sport”, klubi katalanas nuk do të bëjë asnjë lëvizje për anësorin portugez, pasi preferon të blejë përfundimisht Marcus Rashford për 30 milionë euro nga Man. United.
Në këtë situatë, e ardhmja e Leao-s pritet të jetë në Premier League. Chelsea dhe Arsenal kanë kohë që e ndjekin situatën e portugezit dhe mund të provojnë transferimin e tij në verë.