Friday, 10. April 2026
Sport

Kosova shënon fitore ndaj Austrisë, siguron kualifikimin në fazën tjetër

GS 10/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyeshme në parakualifikimet për Botërorin 2028, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në miniturneun kualifikues të Grupit D, që po zhvillohet në Igalo të Malit të Zi.

Dardanët e futsallit triumfuan në një ndeshje spektakolare ndaj Austrisë, me rezultat 6:3.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por ishte Kosova ajo që tregoi më shumë efikasitet në momentet vendimtare. Shefki Kameri zhbllokoi rezultatin në minutën e 11-të, ndërsa më pas skena i takoi Ramadan Alajt, i cili realizoi katër gola (19’, 23’, 32’ dhe 37’), duke qenë figura kryesore e takimit.

Në listën e golashënuesve për Kosovën u regjistrua edhe Shqiprim Imeri, i cili realizoi në minutën e 28-të.

Nga ana tjetër, për Austrinë realizuan Gustavo (16’, 36’) dhe Alex Flögel në minutën e 22-të, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur ritmin e lartë të Dardanëve drejt kualifikimit tutje.

Me këtë triumf, Kosova e ka siguruar tashmë kalimin në fazën kryesore të kualifikimeve (Main Round), pasi dy skuadrat e para nga grupi avancojnë tutje.

Ndeshjen e fundit dhe njëherësh vendimtare për vendin e parë në grup Dardanët do ta zhvillojnë kundër Malit të Zi, të dielën në orën 19:30.

Teilen: