Tyson Fury do të ngjitet sërish në ring këtë të shtunë për t’u përballur me Arslanbek Makhmudov në stadiumin e Tottenham Hotspur Stadium në Londër.
Britaniku 37-vjeçar kishte paralajmëruar pensionimin pas humbjes së dytë radhazi nga Oleksandr Usyk në dhjetor të vitit 2024. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë e tij me pensionime dhe rikthime, pak kush besoi se ai do të largohej përfundimisht nga boksi profesionist.
Fury, një nga figurat kryesore të kategorisë së rëndë në dy dekadat e fundit, është shprehur i vendosur për t’u shpallur kampion bote për herë të tretë.
“Për herë të parë jam gjahtari dhe jo gjahu. Por unë jam ende kryesori në kategorinë e rëndë. Do ta dëshmoj këtë sërish,” ka deklaruar Fury.
Ai numëron 34 fitore dhe dy humbje në karrierën profesionale, prej të cilave 24 i ka arritur me ndërprerje. Dy ndeshjet e fundit i ka humbur ndaj Usykut, që aktualisht konsiderohet mbreti i ri i peshave të rënda.
Fury ka kritikuar kampionët aktualë, përfshirë Usykun dhe Fabio Wardley, duke i quajtur “kampionë sipas alfabetit”.
“Herët apo vonë do të duhet të përballen me mua. Me kë tjetër do të ndeshen nëse duan të fitojnë para?” është shprehur ai.
Në moshën 37-vjeçare, Fury synon të heshtë kritikët që dyshojnë në aftësinë e tij për rikthim në ring. Ai madje kërkon të demantojë edhe babanë e tij.
“Thonë se këmbët e mia nuk më mbajnë më dhe se reagimi im ka humbur. Por këtë të shtunë do ta shihni: jam i shpejtë, i aftë dhe shkatërrues. Nuk e kam humbur shpejtësinë dhe refleksin. Kam bërë 500 raunde sparingu dhe jam ende në formë,” ka theksuar ai.
Fillimisht Fury foli me respekt për kundërshtarin, por më pas shtoi: “Më vjen keq për Makhmudovin. Do të bëj shembull prej tij.”
Makhmudov, 36-vjeçari nga Rusia që jeton në Kanada, ka 21 fitore dhe dy humbje, ndërsa 19 prej fitoreve i ka me ndërprerje. Ai ka përfunduar 13 ndeshje që në raundin e parë dhe ka fituar disa tituj të vegjël, por përballja me Furyn do të jetë sfida më e madhe e karrierës së tij.
Ndeshja e së shtunës mund të hapë rrugën për një duel të shumëpritur mes Furyt dhe Anthony Joshua, i cili mund të realizohet brenda këtij viti.