Milan zhgënjeu jo pak sot, në humbjen 0-3 në “San Siro”, ndaj Udinese, në sfidën e vlefshme për javën e 32-të në Serie A. Në përfundim të ndeshjes, trajneri Max Allegri nuk e fshehu zhgënjimin e madh për këtë takim, si dhe iu dha të drejtë tifozove për vërshëllimat e shumta kundër ekipit. Ndër të tjera, Allegri pranoi se kualifikimi në Champions League tani është në rrezik.
“Ky është një moment i vështirë për ekipin. Kemi humbur tre nga katër ndeshjet e fundit dhe nuk kemi arritur të shënojmë në katër ndeshje gjatë gjysmës së dytë të sezonit. Nëse je në katër të parët, të kalosh katër ndeshje pa shënuar gol, thjesht tregon se nuk po bën mjaftueshëm mirë.
Futbolli është i bukur, por edhe mizor. Kur fiton je i mirë, kur humb jo. Ishte e drejtë që na fishkëllyen sot. Kjo humbje tregon qartë që vendi ynë për në Champions League është në rrezik”, tha Allegri, në intervistën pas ndeshjes për DAZN.