Lajm i keq për Bayern Munich në prag të një momenti kyç të sezonit. Lennart Karl rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për disa javë, pasi pësoi një dëmtim në orët e fundit. Klubi bavarez njoftoi se sulmuesi ka pësuar një këputje muskulore në kofshën e djathtë, e diagnostikuar pas testeve të kryera nga stafi mjekësor.
Kjo situatë do ta detyrojë atë të qëndrojë jashtë për një kohë të pacaktuar, duke e privuar ekipin nga një lojtar kyç në momentin e tij më vendimtar. Prandaj, Karl do të mungojë në ndeshjen e dytë të çerekfinales së Champions League kundër Real Madrid.
Por, jo vetëm kaq, ai do të humbasë edhe gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë kundër Bayer Leverkusen dhe, me shumë gjasa, edhe gjysmëfinalen e parë të mundshme evropiane.
Kjo është një humbje e rëndësishme për trajnerin Kompany, duke marrë parasysh ndikimin që sulmuesi i ri ka pasur gjatë gjithë sezonit: 9 gola dhe 7 asiste në 36 paraqitje të përgjithshme, përfshirë shtatë në Ligën e Kampionëve.
Bayern tani do të duhet të gjejë zgjidhje alternative për të kompensuar mungesën e njërit prej talenteve të tyre më të ndritura, pikërisht kur çdo detaj mund të bëjë diferencën në ndeshjet vendimtare.