Premier League po shndërrohet në një garë ku nuk fiton thjesht kush merr më shumë pikë, por kush shënon një gol më shumë. Fitorja e madhe e Manchester City ndaj Chelsea i ka dhënë një kthesë të fortë garës. Skuadra e Pep Guardiolës ngjitet në 64 pikë, duke ndjekur Arsenalin me 70 pikë, që u ndal nga Bournemouth.
Matematika është e qartë; nëse dy ekipet e mbyllin sezonin me pikë të barabarta (rreth kuotës 85), titulli mund të vendoset nga diferenca e golave. Në këtë skenar, Arsenali duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, por të humbasë përballjen direkte, ndërsa Manchester City duhet të fitojë gjithçka, përfshirë ndeshjen e prapambetur ndaj Crystal Palace.
Aktualisht, londinezët e Mikel Arteta e kanë golaverazhin +38 kundrejt +35 të “qytetarëve”, por diferenca është minimale. Përballja direkte e 19 prillit në “Etihad” mund të jetë vendimtare; çdo gol do të ketë vlerë të dyfishtë në këtë duel dramatik.
Në sfond është edhe presioni i madh për Arsenalin, që pret titullin që nga sezoni legjendar 2003-2004 i “Invincibles” të Arsène Wenger. Një pritje 22-vjeçare rrezikon të kthehet në makth, sidomos pas humbjes së titullit sezonin e kaluar me vetëm dy pikë diferencë ndaj City.