Eliminimi i Barcelonës nga Champions League ndaj Atlético Madridit po vazhdon të gjenerojë polemika në gjithë Europën. Në qendër të kritikave ka përfunduar edhe Lamine Yamal, pavarësisht se talenti i Barcelonës shënoi gol në fillim të ndeshjes.
Ish-sulmuesi francez Christophe Dugarry, në emisionin “Rothen s’enflamme” në “RMC Sport”, nuk i kurseu kritikat ndaj paraqitjes së tij: “Lamine Yamal? Ka një ego të tepruar. Talenti nuk diskutohet, por pas golit në minutat e para, çfarë bëri realisht?”
Dugarry shtoi: “Nuk është ‘Top i Artë’. Nëse do të flasësh dhe ta tregosh veten duhet ta çosh skuadrën në kualifikim. Në ndeshjen e parë nuk ndikoi, në të dytën nuk arriti të bëjë diferencën”.
Këto deklarata vijnë në një moment të vështirë për Barcelonën, pas eliminimit, ndërsa Yamal mbetet një nga simbolet kryesore të së ardhmes së klubit, por edhe në qendër të debatit për pritshmëritë ndaj tij.