Declan Rice është i sigurt. Për mesfushorin anglez, Arsenal është gati të lërë pas një mal zhgënjimesh, përfshirë humbjen në finalen e Carabao Cup kundër Manchester City, për të fituar ndeshjen e radhës në Premier League kundër ekipit të Guardiola, të dielën në “Etihad”.
Besimi te “topçinjtë” është rritur pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Champions League, ndërkohë që klubi londinez ka 22 vite që nuk ka fituar titullin, një tabu që duhet të thyhet. “Është e bukur të luash një ndeshje të tillë, mezi po presim”, tha Rice.
Më tej, ai shtoi: “Kjo është arsyeja pse luajmë futboll. Kur shikon ndeshjet e Premier League si fëmijë, sheh këto ndeshje të shkëlqyera, këto momente që përcaktojnë një sezon. Gjithçka ka të bëjë me të qenit gati dhe ta dëshirosh atë“.
“Ata janë padyshim në formë të shkëlqyer. Askush nuk të jep asgjë në këtë ligë. Ka pasur shumë biseda, por në fund të fundit varet nga ne lojtarët. Kjo është arsyeja pse jemi profesionistë dhe është e qartë se të shkojmë atje dhe të fitojmë. Djemtë janë gati. Kemi folur si grup dhe e dimë se çfarë kërkohet. Mezi presim“, tha Rice.
Kur u pyet nëse e konsideron veten një udhëheqës të rëndësishëm për ekipin, Rice u përgjigj: “Po, patjetër, por duam një ekip të kompletuar dhe me pak dëmtime. Ne i duam lojtarët e dëmtuar përsëri. Kemi nevojë për ta, janë të rëndësishëm dhe më të mirë dhe na kanë munguar shumë në ndeshjet e mëdha të këtij viti“.