Skuadra e Llapit ka reaguar pas dënimit nga Disiplinori i FFK-së për zhvillimin e një ndeshjeje vendës pa shikues dhe gjobës prej 2000 eurove.
Në vendimin e Disiplinorit shkruhet se “pas përfundimit të ndeshjes gjatë shkuarjes në zhveshtore lojtarët e skuadrës mysafire sulmohen nga tribuna nga tifozët vendas me mjete të ndryshme; shkopinj, shishe PVC etj”, ndërsa ka shkruar tutje se edhe autobusi i skuadrës mysafire është sulmuar e dëmtuar.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Llapit që ka theksuar se vendimi “është marrë në mënyrë të ngutshme, pa u bazuar në fakte të plota dhe pa pasqyruar gjendjen reale të ngjarjes së ndodhur pas ndeshjes ndaj KF Drenica”.
Sipas Llapit, edhe sulmi ndaj autobusit të ekipit mysafir, ka realitet krejtësisht tjetër nga ai i paraqitur në raportin e delegatit dhe në vendimin e Komisionit, pasi autobusi është sulmuar “me shishe parfumi” vetëm nga një person i vetëm, dhe jo nga tifogrupi “Legjendat”, dhe se ai person është arrestuar menjëherë.
Llapi thotë se kjo konfirmohet edhe nga Stacioni Policor në Podujevë.
Llapi e ka pranuar se ka pasur hedhje të disa shisheve PVC nga tribunat, por reagimi i forcave policore ka qenë i menjëhershëm dhe se nuk ka pasur të lënduar.
Llapi konsideron se vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar, dhe se është ankuar ndaj këtij vendimi.