Monday, 20. April 2026
Sport

Europiani i Mundjes në RTSH, më të mirët e kontinentit mblidhen në Tiranë

GS 20/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kampionati Europian i të rriturve në mundje ka ngritur siparin këtë të hënë, teksa vjen për herë të parë në Tiranë. Gjithçka ka nisur me stilin klasik, apo atë greko-roman, teksa është konkurruar në peshat 55, 63, 77, 87 dhe 130 kilogram.

Përgjatë paradites janë zhvilluar ndeshjet kualifikuese, ato të raundit të 1/8 të finaleve dhe çerekfinaleve, kurse pasdite ato gjysmëfinale. Nga dita e martë nis gjithçka me finalet e të njëjtave peshave, ndërsa ky kampionat përfundon të dielën pasdite. Jo vetëm në mundjen klasike, apo greko-roman, por edhe për femra e në stilin e lirë.

Për Shqipërinë kanë konkurruar në peshën deri në 130 kilogram, Griseldi Kodra, në peshën deri në 77 kilogram, Kevin Kupi, në peshën deri në 87 kilogram Marjan Kola. Griseldi Kodra në raundin 1/8 e finaleve u mund me superioritet pikësh nga azerbajxhanasi Kandelaki, 11-0. Ndërkohë Kevin Kupi u mund 4-0 nga hungarezi Fritsh, kurse Marjan Kola u mund 9-0 po me superioritet pikësh.

Të hënën pasdite është zhvilluar dhe Ceremonia e Hapjes së aktivitetit, ndërsa përgjithësisht janë duke dominuar që në fillim mundësit nga Bullgaria, Turqia, Moldavia, Hungaria, Armenia, Danimarka, Azerbajxhani, Gjeorgjia.

E si të tilla këto 8 shtete duket se do të jenë kandidatët kryesorë për të fituar Europianin e Mundjes për të rritur, që përfundon më 26 prill e që po vjen drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.              

Teilen: