Drejtori i Interit, Piero Ausilio, ka reaguar ndaj zërave që lidhin mbrojtësin italian Alessandro Bastoni me Barcelonën, duke konfirmuar se deri tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes klubeve.
Sipas mediave spanjolle, Bastoni është kthyer në objektivin kryesor të Barcelonës për repartin defensiv për sezonin 2026/27, madje disa raportime kanë pretenduar se kanë nisur bisedimet mes agjentit të lojtarit dhe katalanasve. Megjithatë, Ausilio theksoi se Interi nuk ka marrë asnjë ofertë dhe se nuk sheh arsye pse lojtari të largohet.
“Bastoni ka kontratë me Interin dhe, sot për sot, nuk mendoj se ka ndonjë rrethanë që të sugjerojë largimin e tij nga Interi”, deklaroi Ausilio për gazetarët në Coverciano.
Ai shtoi se klubi është shumë i kënaqur me kontributin e Bastonit dhe beson se mbrojtësi ka ende shumë për t’i dhënë ekipit.
“Ne jemi të lumtur me Bastonin dhe me atë që i ka dhënë Interit. Jam i sigurt se ai ka akoma shumë për të dhënë këtu”, theksoi drejtori zikaltër.
Në fund, Ausilio lëshoi edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për Barcelonën, duke ironizuar zërat në media.
“Nëse ka interesim për Bastonin, ata e dinë numrin e telefonit (për të telefonuar). Le ta bëjnë këtë, në vend se të flasin”, shtoi ai.
Ndërkohë, Interi është shumë pranë titullit në Serie A, duke udhëhequr me 12 pikë diferencë ndaj Napolit, me vetëm pesë javë të mbetura deri në fund.