Wolverhampton Wanderers janë matematikisht të rënë nga Liga Premier, pas barazimit 0-0 mes West Hamit dhe Crystal Palace, i cili vulosi fatin e skuadrës së Rob Edwards.
Ky rezultat e çon West Hamin në 35 pikë, duke e larguar më shumë nga zona e rënies, ndërsa Wolves mbesin në 17 pikë, plot 18 pikë larg shpëtimit.
Me vetëm pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, Wolves nuk kanë më asnjë mundësi ta kalojnë vendin e 18-të dhe për pasojë bie zyrtarisht nga elita.
Kështu, Wolves do të rikthehen në Championship pas tetë vitesh në Ligën Premier. Pas rikthimit në Ligën Premier në vitin 2018, Wolves patën një start mbresëlënës, duke u renditur të shtatët në sezonin e parë.
Një tjetër vend i shtatë dhe një gjysmëfinale në Ligës së Evropës në sezonin 2019/20 e konfirmuan rritjen e klubit, por me kalimin e kohës, largimi i disa lojtarëve kyç drejt klubeve më të mëdha e dobësoi skuadrën dhe rezultatet nisën të bien.
Këtë sezon, problemet u shfaqën herët, Wolves e nisën kampionatin në fund të tabelës pas humbjeve në pesë ndeshjet e para dhe deri në mesin e sezonit ishte e qartë se mbijetesa po bëhej mision pothuajse i pamundur. Skuadra nuk arriti të fitonte asnjë nga 19 ndeshjet e para në kampionat.
Situata u përmirësua disi pasi Rob Edwards zëvendësoi Vitor Pereiran, por ekipi nga Midlands nuk arriti kurrë të krijojë idenë e një “arratisjeje” të madhe nga rënia.
Edhe Tottenham në telashe
Barazimi i West Hamit ishte lajm i keq edhe për Tottenhamin e Roberto De Zerbit, që vazhdon të jetë në luftë për mbijetesë. Spurs menduan se do të dilnin nga zona e rënies në fundjavë, kur po udhëhiqnin ndaj Brightonit deri në minutat shtesë, por një gol i vonshëm i “Seagulls” i la në vendin e 18-të.
Më pas, Tottenham mbeti edhe më prapa në garën për mbijetesë pasi Nottingham Forest përmbysi dhe mposhti Burnleyn. Aktualisht, Tottenham janë dy pikë prapa West Hamit dhe pesë pikë prapa Nottingham Forestit, me nga pesë ndeshje të mbetura për secilën skuadër.