Duke ditur mundësitë e madhe që Robert Lewandowski të rinovojë me Barcelonën, Milan është tërhequr disi nga gara për të transferuar polakun dhe tani i ka sytë nga një tjetër sulmues i La Ligës.
“Gazzetta dello Sport” zbulon se bëhet fjalë për Alexander Sorloth, norvegjezin e Atletico Madridit, i cili ka shënuar 17 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Duke qenë se Milan pritet të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm, trajneri Max Allegri ka ëkrkuar përforcime cilësore në tre repartet, mbrojtje-mesfushë dhe sulm.
Përsa i përket repartit ofensiv, një nga emrat që po merret parasysh nga kuqezinjtë është pikërisht Sorloth. Atletico Madrid e vlerëson 40 milionë euro norvegjezin bashkë me bonuset, por kuqezinjtë shpresojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për një shifër mes 20-25 milionë eurosh.
Po ashtu nuk përjashtohet mundësia e huazimit me të drejtë blerje në fund të sezonit të ardhshëm, por ky opsion vështirë se mund të pranohet nga “Colchoneros”.