Wednesday, 22. April 2026
Sport

KBF Bashkimi vazhdon dominimin, fiton titullin e kampionit

GS 22/04/2026 2 Min. Lesezeit

Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në basketboll në konkurrencë të femrave.

Basketbollistet e skuadrës prizrenase e fituan titullin e kampionit të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Në praninë e një numri të madh shikuesish, Bashkimi e mposhti Pejën 03 me rezultat 71:61.

Për Bashkimin është titulli i katërt rresht dhe i dhjeti gjithsej.

Prizrenaset e kanë fituar serinë finale me rezultatin 4:3.

Peja 03 në ndeshjen vendimtare nuk e shfrytëzoi terrenin vendas dhe përkrahjen e shikuesve.

Bashkimi këtë edicion e ka fituar edhe Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike. Ndërkohë Peja 03 mbetet me trofeun e Superkupës.

 

Bashkimi ishte në epërsi thuajse gjithë kohën në ndeshjen e shtatë finale. 23:17 në të mirë të Bashkimit përfundoi çereku i parë, ndërsa 19:7 i dyti.

Pejanet tentuan të kthehen në pjesën e dytë. U afruan në rezultat, por mysafirët i rezistuan presionit dhe mbajtën epërsinë deri në fund.

Alexis Mead udhëhoqi Bashkimin me 26 pikë, tetë asistime e katër kërcime.

Saranda Daci, ndonëse luajti për kohë të gjatë me katër personale, kontribuoi me 16 pikë e tetë kërcime. Waggoner Dontavia i kishte 12 pikë e gjashtë kërcime.

Paige Powell ishte më e mira te Peja 03 me 21 pikë e dhjetë kërcime. Adrienne Godbold i kishte 17 pikë, dhjetë kërcime e katër asistime, por që nuk mjaftuan për t’i dhënë fund dominimit të ekipit prizrenas.

Teilen: