Thursday, 23. April 2026
Futboll

“Tërmet” në futbollin maqedonas, arrestohet ish-presidenti shqiptar i FFM-së. Abuzoi me fondet e UEFA-s

GS 23/04/2026 1 Min. Lesezeit

Një “tërmet” i vërtetë ka goditur futbollin në Maqedoninë e Veriut. Ish-presidenti i federatës së futbollit të këtij vendi, Muamed Sejdini, është arrestuar në një operacion të ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike, raportojnë mediat e fqinjit tonë juglindor.

Sipas burimeve nga hetimi, Sejdini dyshohet për keqpërdorimin e rreth 700.000 eurove, fonde të akorduara nga UEFA për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit, konkretisht për ndërtimin e tribunës në Ohër. Këto financa ishin pjesë e programeve të UEFA-s për mbështetjen e federatave kombëtare.

Sipas raportimeve nga media maqedonase, dyshimet për abuzime financiare dolën në pah pas ardhjes së drejtuesve të rinj në federatë, të cilët nisën një kontroll të brendshëm financiar dhe më pas e referuan çështjen në organet kompetente.

Aktualisht hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë. Rasti pritet të ketë pasoja të mëdha për imazhin e futbollit maqedonas dhe marrëdhëniet me UEFA-n.

 

Teilen: