Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për mediat në prag të derbit kundër Partizanit, që do të luhet nesër në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTSH 1 dhe RTSH Sport. Tekniku vlerëson kundërshtarin, por kërkon që skuadra e tij të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive dhe të marrë maksimumin e pikëve që ti largohet fundit të renditjes.
“Gjendja është e mirë, edhe fizike dhe psikologjike. Na pret ndeshje e rëndësishme dhe duhet ta përgatisim me qetësi. E gjithë skuadra është e plotë.
Derbi ka dozë emocionale të madhe. Patjetër që në pozicionin ku jemi kërkojmë të marrim maksimumin, për t’u shmangur dhe për t’u shkëputur nga zona ku jemi. Klasifikimi zerohet në derbi. Të gjithë kërkojnë të japin maksimumin, për të arritur pritshmëritë e të gjithë njerëzve që do jenë të shumtë në stadium dhe ekran duke ndjekur skuadrën e tyre.
Kanë mbetur katër javë, çdo ndeshje është vendimtare. Sa kalojnë javët, nuk ke ku rikuperon pikë më. Mendoj se është ndeshje vendimtare, por pa na ngarkuar shumë. Nëse do ngarkohemi shumë, performanca e secilit nuk është ajo që pritet. Duhet të kemi ekuilibër emocional, e dimë që është ndeshje e rëndësishme për ne.
Deri në fund kur jepen verdiktet janë edhe katër ndeshje, pra 12 pikë. Kërkoj të marrim maksimumin tonë nga çdo takim, duke filluar nga nesër. Në fund fare do bëhen llogaritë se ku do pozicionohemi.
Personalisht, u kam thënë edhe lojtarëve se derbi është një ndeshje që kërkohet gjithmonë të luftohet dhe fitohet. Më e rëndësishme është që të shijohet. Derbin e fundit kam qenë nga krahu tjetër, kam qenë trajner i Partizanit dhe i fitova të dyja derbit. Mendoj se është ndeshje që ne si staf duhet t’i transmetojmë lojtarëve, që mezi e presim. Ndeshje që luftohet, shijohet dhe në fund fare çfarë të prodhojë fusha.
Klasifikimi nuk luan rol të rëndësishëm. Kjo ndeshje na ka kapur në situatë të mirë sepse kemi pasur pesë ndeshje pa humbje. Do mundohemi të përqëndrohemi vetëm te skuadra jonë. Këtë moment të mirë që kemi, shpresojmë ta vazhdojmë sepse e dimë që do jetë shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë”, ka thënë mes të tjerash Shehi.