Friday, 24. April 2026
Sport

Boksieria Sadiku mposhtet nga polakja Rygielska, federata thotë se u dëmtua

GS 24/04/2026 2 Min. Lesezeit

Donjeta Sadiku është ndalur në meçin e dytë në turneun prestigjioz të boksit amator që po mbahet në Brazil.

Në çerekfinale të kategorisë deri 60 kilogramë, boksierja kosovare u përballë me polaken e papërshtatshme Aneta Rygielska.

Meçi nisi furishëm, ndërsa dy boksieret shkëmbyen goditje të forta. Pesë gjyqtarët e vlerësuan polaken si më të mirë. Donjeta reagoi në raundin e dytë, në të cilin ishte më e mirë sipas gjyqtarëve. Dhe raundi i tretë ishte vendimtar. Gjyqtarët në fund e shpallën fituese boksieren polake. Vendimi i gjyqtarëve ishte i ndarë, 3:2 në të mirë të polakes. Donjeta priti fitore dhe mbeti e dëshpëruar me vlerësimin.

Vlerësimi, sipas Federatës së Boksit të Kosovës, nuk ishte i drejtë.

“Besojmë se Donjeta u dëmtua në këtë duel. Në raundin e dytë polakja mori vërejtje publike dhe sipas rregullave do të duhej të reflektohej me zbritje pikësh dhe një avantazh më të thellë për Donjetën. Raundi i tretë u vlerësua 3:2 në favor të polakes, edhe pse Sadiku ishte më aktive gjatë gjithë kohës, duke sulmuar dhe plasuar goditje të pastra. Në përfundim, me vendim të ndarë, 3:2, fituese u shpall boksierja polake”, ka shkruar Federata e Boksit e Kosovës.

Në Kupën e Botës në Brazil, Donjeta e fitoi bindshëm, 5:0, luftën e parë. Në kuadër të xhiros së dytë e mposhti boksieren nga Zelanda e Re, Jordan Wilson. Donjeta ishte e lirë në xhiron e parë.

Nëse do të fitonte të premten, boksierja kosovare do ta siguronte medaljen e bronztë. Në kategorinë deri 60 kilogramë ishin plot 18 boksiere, ndërsa konkurrenca ishte shumë e fortë.

Kupa e Botës, “Foz Do Iguaçu”, është prej garave të forta të boksit amator të organizuara nga World Boxing, federata e re e boksit amator, e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Kjo federatë është ende duke u konsoliduar, por do të jap boksierët që do të paraqiten në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Në Brazil garoi edhe Shpëtim Bajoku, që u ndal në luftën e parë.

Teilen: