Manchester United është pranë rikthimit në Champions League. “Djajtë e kuq” do të luajnë sot ndaj Brentford në Premier League dhe një fitore do t’i afronte edhe më shumë me objektivin. Ndërkohë, nën drejtimin e trajnerit Michael Carrick, klubi po punon për planet e merkatos së ardhshme.
“Nuk ka ndeshje të lehta në Premier, këtë gjë e dimë të gjithë. Sot duhet të jemi të përqendruar e të luajmë për fitore. Nuk kam shqetësime. Mendoj se kemi një ekip që ka një miks, me lojtarë me përvojë dhe të rinj shumë të talentuar, që dinë të fitojnë”, deklaroi trajneri Michael Carrick.
De Ligt është rikthyer në stërvitje pas dëmtimit, por nuk do të jetë në stol. “Nuk është një shqetësim për mua në këtë moment. Kemi dy lojtarë të rinj premtues si Heaven dhe Yoro, që kanë treguar tashmë se çfarë mund të bëjnë“, tha Carrick për qendërmbrojtësit e Manchester United.
44-vjeçari mori drejtimin e United në janar deri në verë dhe pretendon se nuk po kërkon një përgjigje në lidhje me të ardhmen edhe pasi u takua me bashkëpronarin Sir Jim Ratcliffe në Carrington javën e kaluar. “Ai erdhi, biseduam, pimë një filxhan çaj. Bisedë e rastësishme, duke treguar mbështetjen e tij”, tha Carrick.