Sulmuesi Kylian Mbappe ka gjasa të mëdha ti mungojë Real Madridit në ndeshjen “El Clasico” kundër Barcelonës për shkak të lëndimit.
Real Madridi ka lëshuar të hënën një komunikatë lidhur me lëndimin e Mbappes, i cili nuk arriti ta përfundojë ndeshjen ndaj Betisit, të luajtur ditë më parë.
Ylli francez ka një lëndim muskulor në këmbën e majtë dhe nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për duelin me Barcelonën, i cili luhet më datën 10 maj në stadiumin “Camp Nou”.
Reali nuk ka njoftuar sa do të mungojë Mbappe, por mediumet spanjolle kanë raportuar se francezi nuk do të luajë këtë vikend kundër Espanyolit, në tentim për të qenë gati për “El Clasico”.
Mbappe ka shënuar 41 gola në po aq paraqitje këtë sezon për Real Madridin, ekip që sezonin do ta mbyllë pa asnjë trofe të fituar.