Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, po vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e tridhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të tretë futbollistit të FC Drenicës, Kreshnik Uka, i cili u dallua me paraqitje të shkëlqyer dhe shënoi dy gola në ndeshjen ndaj FC Prishtina e Re, e cila përfundoi me rezultatin 2:3.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas marrjes së çmimit, Uka u shpreh i lumtur për vlerësimin si lojtari më i mirë i javës:
“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi duke parë pozitën e Prishtinës së Re në tabelë, e dinim se atyre u nevojiteshin pikët e plota. Fillimi i ndeshjes nuk ishte siç e kishim pritur, pasi në pjesën e parë ishim në disavantazh 1:0. Megjithatë, në pushim të ndeshjes, së bashku me trajnerin, lojtarët dhe kapitenin Genc Hamiti, u dakorduam që të dalim fuqishëm në pjesën e dytë dhe ta përmbysim rezultatin – dhe ashtu ndodhi.”
“Shpresoj të vazhdojmë në këtë formë, pse jo edhe në ndeshjen ndaj Ballkanit. Si klub, nuk e kemi pasur synim daljen në Evropë përmes kampionatit, por përmes Kupës. Megjithatë, tash e tutje gjithçka është e mundur. Kjo është meritë e bashkëlojtarëve, duke filluar nga kapiteni Genc Hamiti e deri te lojtari më i ri, të cilët po japin maksimumin. Edhe stafi dhe trajneri po bëjnë një punë të shkëlqyer. Kemi krijuar një mentalitet të ri në ekip dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
FC Drenica aktualisht gjendet në pozitën e 7-të në tabelë me 38 pikë.