Barazimi 2-2 ndaj Torino ka lënë mjaft të pakënaqur lojtarët e Inter. Gjithsesi, mbrojtësi Matteo Darmian deklaroi se ky rezultat mund të pasohet me një fitore në fundjavë, që mund t’i japë titullin zikaltërve, para tifozëve të tyre.
“Ky grup gjithmonë dëshiron të fitojë dhe të tregojë vendosmërinë dhe këmbënguljen e duhur. Para ndeshjes së fundit ishim katër pikë larg titullit dhe tani jemi tre. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të fituar javën tjetër para tifozëve tanë”, tha Darmian.
“Nuk mund të jemi 100% të lumtur sepse nuk morëm tre pikët, por jemi më afër qëllimit tonë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar derisa të arrijmë atje. Pastaj është edhe finalja e Kupës së Italisë për ta marrë në shtëpi“, shtoi Darmian.