Tuesday, 28. April 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Gjysma e ekipeve nën ethet e rënies, kalkulimet të pamundura

GS 28/04/2026 3 Min. Lesezeit

Nga kampionati i rregullt i Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, kanë mbetur edhe tri javë. Në lojë janë edhe 9 pikë dhe, nëse vendi i 4-t është një duel Dinamo-Partizani dhe që me shumë mundësi do të vendoset në përballjen direkt javën e fundit, gara e mbijetesës duket një ekuacion i pamundur për t’u zgjidhur.

Në këtë garë janë të përfshira gjysma e skuadrave të kampionatit: Teuta 38 pikë, Tirana, Vora dhe Bylisi me nga 35 pikë dhe në fund Flamurtari me 32 pikë. Në letër më e favorizuar për qëndrimin në elitë është Teuta dhe më i rrezikuar Flamurtari. Por, siç na kanë treguar edhe javët e fundit, topi jo pak herë e thyen “majën e lapsit”.

Logjika sportive, duke u bazuar te kalendari, mund të thotë diçka, por jo gjithçka. Kalkulimet janë të pamundura të bëhen në këtë moment, sepse kombinimet e rezultateve janë të shumta. Ajo që është e qartë ka të bëjë me faktin se çdo gabim i këtyre 5 skuadrave ka kosto të lartë dhe të çon direkt në Kategorinë e Parë.

Në kalendar janë përballje me skuadrat që synojnë titullin dhe “Final 4”, por edhe përplasje direkt, ku fitorja vlen dyfish. Për vlonjatët e vendit të fundit rruga është pak më e qartë: duhet të marrin 9 pikë në këto 3 ndeshje të mbetura që të shpresojnë. Pra, duhet të mundin Partizanin dhe Vllazninë në transfertë, si dhe Teutën në shtëpi.

Tirana këtë fundjavë përballet me Teutën jashtë fushe, pastaj pret Vllazninë dhe në fund shkon në Elbasan. Një kalendar “ferri”. Në Durrës duhet të shmangë humbjen me çdo kusht për të mbetur në “valle” para përballjes me dy kryesuesit.

Malore është rruga edhe për dy skuadrat e tjera, Bylisin dhe Vorën. Ballshiotët shkojnë në Shkodër këtë fundjavë, pastaj presin Elbasanin dhe e mbyllin në Vorë. Kjo e fundit ka favorin se javën e fundit pret një rival direkt, por më parë duhet të marrë pikë ndaj Elbasanit dhe Dinamos.

Çdo javë që luhet pakëson kombinimet dhe ngushton “lakun” për skuadrat e rrezikuara, ku ato që do të zbresin një kategori më poshtë duket se do të vendosen me “fotofinish”. Luhet të njëjtën ditë, të njëjtën orë. Ethet e rënies shtohen bashkë me emocionet, në pritje të verdikteve finale.

Teilen: