Akti i parë i gjysëmfinales PSG-Bayern në Champions League do të mbahet mend gjatë, pas 9 golave të shënuar në supersfidën e luajtur në “Parc des Princes”. PSG fitoi 5-4.
Bavarezët kaluan të parët në avantazh, falë një penalltie në minutën e 17-të, të shndërruar në gol nga Harry Kane. Kundërpërgjigjja e parizienve ishte e shpejtë, ku pas një aksioni të gjatë, asistit të Desire Doue dhe depërtimit të bukur brenda në zonë, ishte Khvicha Kvaratskhelia, i cili shënoi një gol tejet të bukur, duke barazuar shifrat në 1-1.
Në minutën e 33-të, Olise tregon gjithë klasin e tij, duke u futur bukur brenda në zonë, por reflekset e portierit Matvey Safonov, bën që topi të përplaset në shtyllë.
Menjëherë, kundërpërgjigje e shpejtë e parizienëve, të cilët gjejnë golin e dytë, këtë herë me Joao Neves. Portugezi shënoi me kokë, pas krosimit të Ousmane Dembele nga këndi. Në minutën e 42-të, pas një topi të bukur të Pavlovic dhe depërtimit në zonë, Olise gjen golin e barazimit, duke shënuar me një goditje të bukur me të majtën. Në minutat shtesë, PSG gjen golin e tretë falë një penalltie, pas prekjes së topit me dorë nga Alphonso Davies dhe ndërhyrjes së VAR. Godet Ousmane Dembele, topi përfundon në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 3-2 për PSG-në.
Njësoj si pjesa e parë, edhe e dyta ishte e bukur dhe me gola. Pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Achraf Hakimi, ishte Khvicha Kvaratskhelia që shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për PSG-në, në minutën e 56-të.
Dy minuta më pas, ishte Ousmane Dembele i cili gjeti golin, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Desire Doue. Në minutën e 65-të, kundërpërgjigjet Bayern. Joshua Kimmich kroson nga goditja e dënimit, Dayot Upamecano shënon me kokë.
Në minutën e 70-të, pas një topi të Kane dhe veprimit fantastik brenda zonës të Luis Diaz, kolumbiani shënon golin e katërt për bavarezët, për të cilin u desh edhe konfrimimi i VAR.
Ndeshja e parë mbyllet 5-4 për parizienët. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në “Allianz Arena”.