“Nuk mendoj për ndonjë thirrje nga një klub italian apo kombëtarja”. Simone Inzaghi shprehet i lumtur në Arabinë Saudite, ka edhe një vit kontratë me Al Hilal, duke theksuar se largimi nga Italia po e ndihmon të rritet profesionalisht dhe njerëzisht, diçka që nuk i kishte ndodhur më parë.
Pas mungesës së tretë radhazi të Italisë në Botëror, Inzaghi thekson se problemet nuk duhen nënvlerësuar dhe se ndryshimi duhet të nisë nga mentaliteti në akademi: “Futbolli duhet të arrijë rezultate përmes guximit dhe lojës, jo duke menduar vetëm fitoren me çdo kusht në dëm të lojës”.
Ish-trajneri i Interit vlerëson rëndësinë e trajnerëve të futbollit të moshave dhe thotë se duhet të mësohet më shumë teknika sesa taktika. Për përmirësimin e futbollit italian ai propozon: “Do të reduktoja formatin e Serie A. Mund të jenë vendime të dhimbshme, por pas 5 vitesh do të sjellin rezultate pozitive”.
Duke folur për Interin pas largimit të tij, Inzaghi përgëzon Chivu për rezultatet dhe thotë se zgjedhja ishte e duhur. Ai mbron gjithashtu Dimarcon dhe Zielinskin, duke theksuar se i kishte kërkuar vetë në ekip dhe se problemet e tyre lidhen kryesisht me keqkuptime dhe dëmtime.