Këshilli po punon për të futur rregullin nga 2027-a. Do të ishte një revolucion në futboll, por pengesat aktualisht janë të shumta.
Një lojtar nën 20 vjeç, i rritur në akademinë e klubit, me detyrim në fushë për çdo skuadër. Do të ishte një ndryshim i rëndësishëm, që do të shënonte një kthesë të fortë. Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Kanada, ka aprovuar me unanimitet një proces konsultimi me të gjitha palët e interesuara për të studiuar këtë projekt.
Qeveria e futbollit botëror kërkon t’i imponojë skuadrat që të kenë gjithmonë në fushë të paktën një lojtar të rritur në “fidanishten” e vet në moshën 20 vjeç. Propozimi do të paraqitet për miratim në Këshillin e FIFA-s pastaj vitin e ardhshëm. Diçka e bukur, por a mund të realizohet.
Pengesa e parë mund të jetë ligjore. Në Europë diçka e ngjashme ekziston që nga 2006-07. “Homegrown players”, lojtarët e akademisë pa dallim kombësie. Një rregull i UEFA-s i adoptuar nga shumë federata. Çdo klub në kupa duhet të ketë minimumi 4 lojtarë të rritur në “fidanishten” e vet. Por këta lojtarë mund të qëndrojnë gjithë jetën në stol, sepse nuk është detyrim aktivizimi i tyre.
Bashkimi Europian, në luftën kundër diskriminimit ka diskutuar shumë herë legjitimitetin e “homegrown” dhe nuk përjashtohet mundësia që ky rregull të hiqet.
Ka dhe një problem. Nëse propozimi i FIFA-s zyrtarizohet një vit më pas, do të ndikonte në zgjedhjet tekniko-taktike, duke detyruar trajnerët të hedhin në fushë një lojtar që nuk mund të jetë në lartësinë e titullarëve. Dhe për të aplikuar rregullin, çdo klub duhet të ketë 5 ose 10 lojtarë U-20 gati. Dikush mund të dëmtohet dhe duhen më shumë se një lojtar U-20 për çdo rol.
Jo të gjithë kanë akademi si të Barcelonës, ndërsa rregulli i ri do të detyronte klubet të investonin në këtë drejtim. Futbolli ka nevojë për këtë lloj ndryshimi.