Përmes një komunikate, Peja ka reaguar të premten për një veprim të Drilon Hajrizit në ndeshjen e së enjtes në “Minatorin” e stërmbushur.
Sipas Pejës, Hajrizi ka fyer rëndë bankën dhe skuadrën e Pejës.
Trepça fitoi 123 :79 ndaj Pejës në ndeshjen e tretë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Hajrizi ishte prej më të mirëve te Trepça me 26 pikë e tri kërcime.
“Në Pejë e Mitrovicë, rivaliteti ka kaluar në nivele të mëdha dhe tashmë është pothuajse e pamundur kontrollimi i të gjithë tifozëve dhe sjelljeve të caktuara të individëve. Kryesinë e KB Trepça e falënderojmë në maksimum për mirëpritjen perfekte para, gjatë dhe pas takimit – kështu ka qenë çdoherë. Por, lojtari me numër 12, që njëherë e një kohë veshi edhe fanellën e klubit tonë – ka shkelur deri në maksimum çdo rol të profesionalitetit me viktimizimet dhe fyerjet që njeriu i dëgjon vetëm në rrugë, drejtuar jo publikut por bankës dhe skuadrës së KB Peja. Te KB Peja, ndodhen lojtar të qytetit nga i cili Driloni vjen, bashkëlojtarë dhe kapiteni i tij te kombëtarja e Kosovës”, shkruan në komunikatën e Pejës.
Në fakt Hajrizi ishte fyer rëndë në ndeshjen e kaluar në Pejë dhe kishte pasur reagime nga familjarë të tij.
Peja pretendon se Hajrizi ka ekzagjeruar pas ndeshjes në Pejë.
“Në sport rrallë ka këso lojtar që nuk i kontrollojnë emocionet dhe ofrojnë shembuj katastrofal. Ishte pikërisht Driloni, ai që pas ndeshjes në Pejë ekzagjeroi situata duke nxitur publikun në Mitrovicë për urrejtje. Ndeshjet kalojnë, sezonet kalojnë, fjala e thënë nuk kthehet prapa. KB Peja shpreson që profesionaliteti i treguar nga kryesia e KB Trepça, basketbollistët e tjerë në fushë dhe stafi i trajnerëve të përqohet edhe nga lojtari me sjellje katastrofale që po shfaqet në video”, shkruan tutje në komunikatën e Pejës.
Peja e Trepça përballen të dielën nga ora 19:30 në “Karagaçi”.