Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka rrëfyer emocionet dhe sfidat e reja në aventurën e tij kuqezi, në një intervistë për DAZN. “Telefonata nga Milani? E shpresoja. Kur u bë realitet, ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime”, – u shpreh Tare, duke theksuar ndryshimin e madh mes eksperiencës së tij te Lazio dhe klubit aktual: “Me emrin Milan është më e lehtë t’i bindësh lojtarët, për historinë dhe mundësitë financiare”.
Ish-drejtuesi bardhekaltër nënvizoi ambicien personale për të lënë gjurmë: “Dua ta meritoj të jem pjesë e këtij klubi. Për të qenë pjesë e histories kuqezi, duhet të lësh shenjë”.
Sa i përket trajnerit Massimiliano Allegri, drejtori sportiv shqiptar zbuloi marrëdhënien e tyre: “Kemi një raport shumë të mirë. Pas merkatos kemi kaluar kohë bashkë, edhe jashtë fushës. Është një person shumë inteligjent, që di të menaxhojë dhomat e zhveshjes dhe presionin e një klubi si Milani”.
Zgjedhja e Allegrit, sipas Tares, erdhi nga eksperienca, historia dhe aftësia për të drejtuar një klub të madh.