Në orët e fundit është bërë virale një foto në rrjetet sociale ku një tifoz shfaqet pranë një personi që duket se është Gonzalo Higuaín. Por pse ka dyshime mbi autenticitetin e saj?
Personi i supozuar si Higuaín shfaqet në një gjendje fizike ndryshe nga pamjet e tij të fundit publike, duke bërë që ndjekësit të mos jenë të sigurt nëse fotoja është reale ose e manipuluar me inteligjencë artificiale. Fotografia, e shkrepur brenda një dyqani me artikuj sportivë në Miami, tregon një person me disa kilogramë më shumë krahasuar me peshën e Higuaín në momentin e tërheqjes nga futbolli në 2022. Ai ka mjekër të dendur dhe të pakujdesur, pak flokë në kokë, pantallona të shkurtra dhe sandale – një ndryshim look-u që ka befasuar shumë tifozë.
Gonzalo Higuaín mbylli karrierën e tij si futbollist në 2022, pas periudhave me River Plate, Real Madrid, Napoli, Juventus dhe Inter Miami. Në një intervistë për “La Nación” në prill 2021, Higuaín kishte folur për ndryshimet në pamjen e tij dhe për gëzimin që nuk gjykohet nga të tjerët: “As media, as tifozët nuk të gjykojnë nëse je i shëndoshë, i dobët apo pa flokë. Kam lënë mjekrën të rritet dhe u bëra lajm, por askush nuk flet për mua për futbollin. Që kur lindi vajza ime, kam ndryshuar ndjeshmërinë.”
Kjo foto duket se pasqyron pikërisht këto ndryshime në stil dhe pamje, duke shpjeguar pse duket ndryshe nga imazhet e njohura të futbollistit.