Saturday, 2. May 2026
Sport

Lamtumirë Alex Zanardi

GS 02/05/2026 2 Min. Lesezeit

Ish-piloti i Formula, Aleksandër Zanardi është ndarë nga jeta në moshën 59 vjeçare. Ai humbi të dy këmbët në një aksident gjatë garave me makina në vitin 2001. Nuk u dorëzua por u bë një sportist i jashtëzakonshëm duke fituar 6 medalje ari në Lojërat Paraolimpike dhe 8 medalje ari në kampionatet botërore të çiklizmit.

Alex Zanardi ka ndërruar jetë në moshën 59 vjeç. Alessandro ose Alex, siç e njohin të gjithë në sport ka qenë një pilot i Formula 1 duke marrë pjesë në 44 Çmime të Mëdha nga 1991- 1994. I mbetur pa kontratë në vitin 1995, Zanardi zhvilloi pasionin e tij për garat amerikane duke fituar tituj radhazi në vitet 1997 dhe 1998. Por viti 2001 do të ndryshonte jetën e tij përgjithmonë. Gara e 15 shtatorit në Gjermani. Një përplasje e tmerrshme që e ndan makinën e Zanardit në dysh.

Aksidenti i kushton humbjen e të dy këmbëve pilotit italian. Pas një periudhe rehabilitimi ai rikthehet sërish në sport. Këtë radhë në çiklizëm me duar. Pas disa medaljeve në kampionate kombëtare e botërore, viti 2012 shënoi kulmin e karrierës së tij Paraolimpike. Në Lojërat Paraolimpike të Londrës, ai fitoi tre medalje: dy ari dhe një argjendi.

E përsërit këtë sukses edhe në Lojërat Paraolimpike të Rios në 2016 me dy medalje ari dhe një argjendi, në moshën pesëdhjetë vjeç. Por fati kishte rezervuar sërish një provë të vështirë për sportistin italian. Më 19 qershor 2020, gjatë një stafete bamirësie me biçikletë të organizuar për të mbështetur luftën kundër koronavirusit, ai u përfshi në një tjetër aksident dramatik, duke u përplasur me një kamion që vinte nga drejtimi i kundërt.

Humbi vetëdijen. Iu nështrua një seri operacionesh dhe vetëm në janar 2021 ai u rikthye në shtëpi, për të kaluar vitet e tij të fundit, i rrethuar nga dashuria e familjarëve të tij, duke luftuar me gjendjen e tij të rëndë dhe të pasigurt shëndetësore.

Teilen: