Pritej të ishte një fitore e lehtë dhe pse jo me goleadë, por Juventus nuk ka shkuar dot më shumë se barazimi 1-1 ndaj Veronës, në sfidën e luajtur në “Allianz Stadium”, e vlefshme për javën e 35-të në Serie A.
Në minutën e 26-të, Juventus iu afrua golit të avantazhit, por goditja me kokë e Gleison Bremer u ndal në traversë. Në minutën e 34-të u zhbllokua sfida, pas një gafë të Bremer dhe asistit të Domagoj Bradaric ishte Kieron Boëie, ai i cili dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Veronën.
Barazimi do të vinte në minutën e 62-të, ku Dusan Vlahovic do të realizonte një gol tejet të bukur nga goditja e dënimit. Serbi u fut si zëvendësues në fillim të pjesës së dytë dhe ky është goli i parë për të pas rikthimit në fushë nga dëmtimi i gjatë.
Në minutën e 80-të u aktivizua Edon Zhegrova në vend të Francisco Conceicao. Në minutën e tretë shtesë ishte piëkrisht Zhegrova që iu afrua golit, por goditja e tij u ndal në shtyllën e djathtë. Ndeshja mbyllet 1-1. Juventus komplikon situatën në garën për vendin e katërt që të dërgon në Champions League. Verona dihet që sezonin e ri do të luajë në Serie B.