Monday, 4. May 2026
Sport

Reagon Vllaznia, Xhaferi: Kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cënon ndershmërinë e garës!

GS 04/05/2026 2 Min. Lesezeit

Klubi shkodran ka reaguar së fundi zyrtarisht në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në ndeshjet e fundit, ku ka pasur aludime mbi integritetin e ndeshjeve. Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, sipas postimit të klubit në faqen e vet, thekson se skuadra që drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e marrëveshjeve që cënojnë ndershmërinë e garës.  

Deklarata e klubit Vllaznia

Gjatë ditëve të fundit janë përhapur në disa media dhe rrjete sociale aludime dhe komente lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit. KF Vllaznia, përmes Presidentit Alban Xhaferi, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht dhe me përgjegjësi:

Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cënon ndershmërinë e garës. Ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet, dhe çdo arritje e jona ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushën e lojës.

Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e opinionit publik në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, si dhe pritshmëritë e larta, por njëkohësisht besojmë se hedhja e dyshimeve pa prova dëmton jo vetëm klubet, por gjithë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.

Ftojmë të gjithë aktorët – mediat, opinionin sportiv dhe institucionet – të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në komunikim.  Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet në rrugët zyrtare. Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj me seriozitet, duke folur në fushë dhe duke respektuar lojën e ndershme.

Teilen: