Presidenti i Inter Milan, Beppe Marotta, ka konfirmuar interesimin e FC Barcelona për mbrojtësin italian Alessandro Bastoni, por ka theksuar se lojtari mbetet i lumtur te klubi zikaltër dhe nuk ka asgjë konkrete në tavolinë.
Duke folur për “Radio Anch’Io Sport”, Marotta e vlerësoi Bastonin si një nga talentet më të rëndësishëm në futbollin italian, por sqaroi se deri tani nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare.
“Është një talent i madh. Nuk e mohoj interesimin e Barcelonës, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Një lojtar largohet vetëm nëse shpreh dëshirën për t’u larguar. Aktualisht ai është i lumtur me ne dhe ne jemi të kënaqur me të”, u shpreh Marotta.
Bastoni është një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Interit dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e suksesit të skuadrës në vitet e fundit në Serie A.
Marotta theksoi gjithashtu strategjinë e klubit për të ndërtuar një bazë të fortë lojtarësh italianë, duke shtuar se për sukses në kampionat nevojitet një grup që kupton mirë futbollin vendas.
Në fund, ai foli edhe për ambiciet në Evropë, duke rikujtuar përvojat e tij në finale të Ligës së Kampionëve, ku ka humbur disa herë, por duke theksuar se objektivi mbetet i njëjtë:
“Kam arritur në katër finale dhe fatkeqësisht i kam humbur të gjitha. Është diçka që ende dua ta arrij”, tha ai.