Interi ka fituar titullin e 21-të të Serie A dhe shumë merita i atribuohen Cristian Chivu. Ish-presidenti i klubit, Massimo Moratti, në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ka folur për sezonin dhe figurën e Chivu.
Moratti tha: “Cristian u desh të përballej me klimën e krijuar nga goditja që zikaltrit kishim marrë në finalen e Mynihut dhe arriti ta rikthente te lojtarët besimin e nevojshëm për të nisur një rrugëtim të ri dhe fituar sërish”. Ai shtoi se i ka dërguar mesazhe urimi pas suksesit: “Desha t’i shkruaj për ta përgëzuar dhe përsëritur mendimin tim për punën dhe personalitetin e tij. Ai është gjithmonë i afërt dhe i sjellshëm me mua”.
Duke e krahasuar me José Mourinho, Moratti tha se të dy janë “të këndshëm”, por me stile të ndryshme: “Chivu është i matur dhe me personalitet të qartë, ndërsa Mourinhos i pëlqente të krijonte kaos dhe ishte argëtues, por edhe i dobishëm”.
Për rivalët, Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte, Moratti u shpreh: “Nuk prisja që të rrëzoheshin kështu, sidomos Allegri, edhe pse Milani është më pak i fortë se Interi. Conte ka pasur dëmtime gjatë gjithë vitit, është e vështirë të gjykohet”.