Sezoni ende nuk ka përfunduar, por merkatoja tashmë është ndezur, sidomos në Itali. “Mbretërit e merkatos” po bëjnë llogaritë për sezonin e ardhshëm. Te Juventusi ka shqetësim për financat në rast se skuadra nuk kualifikohet në Champions League. Aktualisht bardhezinjtë janë në vendin e katërt, me një pikë avantazh ndaj Romës, teksa kanë mbetur tri ndeshje për t’u luajtur. Nëse mbeten jashtë Champions-it, asnjë lojtar nuk është i paprekshëm, as Kenan Yildiz.
Megjithatë, “Gazzetta dello Sport” raporton një tjetër skenar, duke e lidhur turkun me Real Madridin: “Nuk përbën sekret që Kenan është djali i dëshirave të presidentit të Real Madridit, Florentino Pérez”. E njëjta media thekson se Real Madridi kërkon të rikthehet me ambicie të mëdha pas dështimit në La Liga-s dhe eliminimit të hershëm në Ligën e Kampionëve.
Yildiz ka bërë një sezon të fortë me Juventusin; 11 gola dhe 10 asistime në 45 ndeshje, por luan në të njëjtën zonë si Vinicius dhe Mbappé, në krahun e majtë të sulmit. Ai njeh mirë Arda Güler, me të cilin ka luajtur 33 ndeshje për Turqinë, duke regjistruar së bashku gola dhe asistime të rëndësishme në kombëtare.