Tuesday, 5. May 2026
Sport

“Ky është qyteti ynë”, Bayern-i i mohon PSG-së hotelin e dëshiruar

GS 05/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pas nëntë golave të shënuar në “Parc des Princes”, Bayerni dhe PSG vazhdojnë që të luajnë edhe jashtë fushe në pritje të takimit të kthimit në “Allianz Arena”.

Pikërisht në këtë transfertë PSG ka shprehur dëshirën për t’u grumbulluar në “Infinity Hotel”, ku qëndruan edhe vitin e kaluar për finalen e Champions League të luajtur në Mynih përballë Inter-it.

Ky hotel, i cili ndodhet vetëm 15 km larg stadiumit, është i preferuari i Bayern-it. Klubi bavarez e përdor përpara ndeshjeve dhe një gjë e tillë nuk ndryshoi as në vigjilje të ndeshjes përballë PSG-së.

Këtë herë klubi nga Parisi ka ndryshuar planin pasi është ndeshur në refuzimin kategorik të skuadrës bavareze, e cila nuk ka hapur rrugë dhe ka ndjekur protokollin e saj duke u grumbulluar pikërisht në “Infinity Hotel”.

Të pyetur për këtë argument si Vincent Kompany dhe Christoph Freund ishin të qartë: “Ky është qyteti ynë. Ne do të qëndrojmë në hotelin tonë. Nuk kemi ndër mend që të hapim rrugë në këtë drejtim. Kjo është shtëpia jonë, ky është qyteti ynë”. PSG mësohet se ka zgjedhur një hotel alternativ. Klubi francez do të akomodohet në “Andaz Hotel”, i vendosur gati 10 minuta larg stadiumit. Në ambientet e jashtë të hotelit në fjalë ditën e djeshme janë sistemuar edhe barrierat e sigurisë për lojtarët e PSG-së, të cilët pritet të mbërrijnë sot në Mynih.

Teilen: