Ousmane Dembélé u bë protagonist edhe jashtë fushës, menjëherë pas kualifikimit të PSG në finalen e Champions League. Pak minuta pas vërshëllimës finale ndaj Bayern Munich, sulmuesi francez tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale me një gjest simbolik të lidhur me një deklaratë të vjetër të Gavit.
Mesfushori spanjoll, para një ndeshjeje Champions-i ndaj Borussia Dortmund, iu përgjigj kritikave për talentin e tij me këto fjalë: “Shumë njerëz mendojnë se nuk di të luaj futboll…, por nuk e kanë as idenë më të vogël. Kjo është e vërteta, por është e kuptueshme. Në fund është futboll dhe secili mendon çfarë të dojë”.
Pas kualifikimit të PSG, Dembélé publikoi pikërisht atë video në profilet e tij sociale, një veprim që u interpretua si përgjigje indirekte ndaj kritikëve të tij pas arritjes në finalen e Budapestit.
Fituesi i “Topit të Artë” nuk u ndal me kaq, pasi më vonë postoi edhe foto nga festimet në dhomat e zhveshjes me shokët e skuadrës. Dembélé po kalon një tjetër sezon fantastik dhe ishte vendimtar ndaj Bayernit, me 3 gola dhe një asist në dy ndeshjet gjysmëfinale. Sot ai konsiderohet një nga liderët teknikë të PSG dhe simbol i skuadrës që synon të mbetet në majën e futbollit europian.