Përballjet finale të Superligës së Kosovës në basketboll do të nisin këtë fundjavë në Palestra Minatori, ku kampioni në fuqi KB Trepça do ta presë KB Bashkimi në ndeshjen e parë të serisë finale.
Pas një sezoni të gjatë dhe mjaft spektakolar, të dy skuadrat kanë treguar formë të mirë dhe kanë dhuruar basketboll cilësor gjatë gjithë kampionatit, duke krijuar pritje të mëdha për finalet e këtij edicioni.
Trepça dhe Bashkimi po përballen sërish në luftën për titull, njësoj si në edicionin e kaluar, kur mitrovicasit arritën të triumfonin me rezultat 4:2 në seri dhe ta shpallnin veten kampionë të Kosovës.
Rivaliteti mes dy skuadrave është thelluar edhe më shumë në vitet e fundit, pasi ato janë takuar edhe në dy finalet e fundit të Kupës së Kosovës, të cilat përfunduan me fitoret e “Xehetarëve”.
Ndeshja e parë e finales zhvillohet të dielën në palestrën “Minatori”, ndërsa titulli kampion do t’i takojë skuadrës që arrin katër fitore në serinë finale.