Granit Xhaka është shpallur “Lojtari i Sezonit” te Sunderland AFC, pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë këtij edicioni në futbollin anglez.
Edhe pse sezoni i Sunderlandit është zbehur disi në javët e fundit, fakti që skuadra vazhdon të jetë në garë për një vend që dërgon në garat evropiane konsiderohet një sukses i madh. Para nisjes së kampionatit, shumë analistë e parashikonin Sunderlandin në fundin e tabelës, por ekipi siguroi mbijetesën disa javë para përfundimit të sezonit dhe tejkaloi pritshmëritë.
Xhaka ka qenë një nga figurat kryesore të skuadrës në këtë sukses, duke fituar vlerësimin maksimal nga tifozët dhe drejtuesit e klubit. Mesfushori shqiptar ka regjistruar shtatë përfshirje direkte në gola gjatë sezonit, mes realizimeve dhe asistimeve, duke treguar rëndësi të madhe në repartin e mesfushës.
Përveç kontributit ofensiv, ai ka krijuar 33 raste për gol, ndërsa tetë prej tyre janë vlerësuar si “raste të mëdha”, statistikë që e rendit ndër lojtarët më produktivë në pozitën e tij në Premier League.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga figura të njohura të futbollit. Ish-portieri legjendar danez Peter Schmeichel ka deklaruar se Xhaka do të ishte zëvendësuesi ideal i Casemiro te Manchester United FC.
“Kam një ide, ndoshta kontroverse, por mendoj se duhet të shkojmë dhe ta transferojmë Xhakën. Kur shoh çfarë ka bërë ai te Sunderlandi, është arsyeja pse skuadra ka qenë kaq e jashtëzakonshme”, është shprehur Schmeichel.
Statistikat e mesfushorit shqiptar këtë sezon kanë qenë mbresëlënëse edhe në organizimin e lojës. Asnjë mesfushor tjetër nuk ka realizuar më shumë pasime të gjata se ai në Premier League, ndërsa vetëm një përqindje shumë e vogël e lojtarëve kanë regjistruar më shumë prekje të topit, çka tregon ndikimin dhe rëndësinë e tij në qendër të fushës.