Elbasani luan nesër ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, teksa do të presë Tiranën në “Elbasan Arena”. Një duel që për verdheblutë vlen shumë, sepse fitorja i mban në vendin e parë dhe i jep një bonus edhe për fazën “Final 4”. Në daljen e tij të zakonshme para mediave, tekniku Ivan Gvozdenoviç pohon se me Tiranën do të jetë një derbi dhe ndeshje e bukur, ku sigurisht Elbasani do të tentojë të marrë maksimumin.
Dy humbjet e fundit i kanë mërzitur disi tifozët, por sipas Gvozdenoviç nesër është një shans për të reaguar dhe kënaqur tifozët e shumtë të Elbasanit. “Me Tiranën është një ndeshje e veçantë, mendoj se me një fitore do të kemi mundësinë që të hedhim pas krahëve atë çfarë kemi marrë në dy takimet e fundit”, analizoi trajneri i AF Elbasanit.
Në fund, tekniku i verdhebluve ndalet edhe tek ajo se çfarë ka bërë Elbasani këtë sezon, ku thekson rikthimin në kupat e Europës pas 20 viteve. “Sezoni nuk ka përfunduar ende, por deri më tani mund të them se kemi bërë një punë të mirë. Me këtë nuk dua të them se ndihem i kënaqur pasi përpara kemi ende punë”, tha Ivan Gvozdenoviç. Për këtë duel pritet që në Elbasan të ketë edhe një prezencë të madhe të tifozëve, ndërkohë që hyrja për femrat do të vijojë të jetë pa pagesë.